Saturday, September 8, 2012

Durrës: E dhimbshme! Nuk i dhanë leje nga burgu që të varroste gruan dhe fëmijën që s’e kishte parë kurrë!



Një histori e dhimbshme fshihet pas aksidentit vdekjeprurës të pak ditëve më parë, ku ndërroi jetë 28-vjeçarja Violeta Metani, bashkë me vogëlushin e saj 4 muajsh.
Një reportazh të plotë për familjen Metani ka sjellë “Shqiptarja.com”, ku realiteti dhe varfëria ekstreme të tronditin.
Violeta u aksidentua për vdekje në vendin e quajtur Mbikalimi i Golemit. Bashkë me të vdiq dhe i biri, ndërsa tre fëmijë të tjerë, 2, 3 dhe 7 vjeçarë e prisnin nënën dhe vëllanë në shtëpi. Tashmë ata kanë mbetur jetimë, me nënë të vdekur dhe baba në burg.
Këta vogëlushë nuk dëgjuan asnjë fjalë ngushëlluese nga i ati i tyre, i cili nuk u lejua të merrte pjesë në funeralin e bashkëshortes dhe fëmijës së tij.
Sipas “Shqiptarja.com”, prokurori i Kavajës, Dritan Nushi, nuk e lejoi këtë të burgosur të merrte pjesë në ceremoninë funebre.
Sulejman Metani nuk e kishte parë kurrë foshnjën e tij 4 muajsh. Ai ndodhej në burg kur lindi bashkëshortja e tij, Violeta. Por ai nuk mundi t’i thoshte as lamtumirë fëmijës së tij dhe bashkëshortes, që u larguan padrejtësisht nga kjo jetë, në moshë kaq të re.
Violeta mblidhte dhe shiste hekurishte për të siguruar bukën e katër fëmijëve të saj. Ata jetonin në një shtëpi ku varfëria ishte ulur këmbëkryq.
Më 6 shtator, kjo nënë e vuajtur ishte nisur drejt burgut për të takuar bashkëshortin. Në duar mbante Sajmirin 4 muajsh. Por makina që i aksidentoi, ua preu jetën në mes. Për at e bir ishte e destinuar që të mos takoheshin kurrë.
Sulejman Metani vuan dënimin 3,5 vjeçar në burg, pas një sherri që kishte mes vëllezërve të tij. Ai ka ushtruar dhunë ndaj vëllait, Albertit kur ka qenë në gjendje të dehur, dhe gjykata e dënoi për 3.5 vjet burg, nën akuzën për plagosje të rëndë me dashje.
Ndërsa në momentet kulminante për familjen e tij, drejtësia shqiptare nuk e lejoi të përcillte bashkëshorten dhe fëmijën e porsalindur në banesën e fundit. Nuk e lejoi të përqafonte qoftë edhe për pak çaste 3 fëmijët e tjerë të mitur, të mbetur jetimë. Bëhet fjalë për të njëjtën drejtësi, që u jep leje herë pas here të dënuarve si trafikantë droge apo për krime të tjera penale, të cilët kanë treguar në burg “sjellje të mirë”.
Vëllai i penduar i Sulejmanit, i cili bëri denoncimin, tashmë kërkon që të ndryshohet masa e dënimit dhe pjesa tjetër të kthehet në arrest shtëpie, me qëllim që ky baba fatkeq të ndodhet pranë 3 fëmijëve të tjerë të mitur.
“Shqiptarja.com” e ka ngritur fort zërin. Këtij zëri u bashkohemi edhe ne dhe shpresojmë që në këtë mënyrë të veprojnë të gjitha mediat, me qëllim që të ndihmohet kjo familje fatkeqe.

No comments:

Post a Comment